Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve për rrahjen në “Emshir”

paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim tre të dyshuarve A.H.1, A.H.2 dhe J.H. dhe masën e paraqitjes në stacionin policor për M.H. pasi dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “lëndim i rëndë trupor” dhe “lëndim i lehtë trupor” para dy ditësh në lagjen “Emshir”.

Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe të shmangen nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën, sesi pretendohet se janë kryer veprat penale, po ashtu edhe raportet familjare ndërmjet të pandehurve dhe të dëmtuarve në këtë çështje penale.

“Gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale dhe ndikimin në dëshmitarë me qëllim të lirimit të të pandehurve nga përgjegjësia penale, si dhe të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo mund të kryejnë vepër penale edhe më të rëndë”, thuhet në njoftim.

Si dyshohet se ndodhi rasti?

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 05.09.2024 rreth orës 20:30 në lagjen ‘Emshir’ në Prishtinë për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit A.H, N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër, fillojnë t’i godasin në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast të dëmtuarit A.H i shkaktojnë lëndime të rënda trupore. Ndërsa në të njëjtë datë, kohë dhe vend për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtëve ju shkaktojnë lëndime të lehta trupore”.