Kronikë

Një këmbësor vdiq nga goditja e veturës në Krushë të Madhe

Shiriti i policisë - Policia - Aksident

Foto: Ilustrim

Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra nga një aksident komunikacioni në Krushë të Madhe, në Rahovec.

Zëdhënësi i Policisë rajonale për Gjakovë, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për KosovaPress, se rasti ka ndodhur rreth orës 17:15, në rrugën që lidh Gjakovën me Prizrenin.

“Policia iu ka përgjigjur rastit, ku të përfshirë në aksident kanë qenë një automjet dhe një këmbësor mashkull i moshës madhore. Këmbësori është dërguar për trajtim mjekësor, nga jemi njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, ka thënë Elezaj.

Shoferi i automjetit, i dyshuar për përfshirje në aksident, është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.