Kronikë

Tri viktima nga aksidenti në Skenderaj, pesë të lënduar – katër prej tyre policë

Aksident

Foto ilustrim

Tre persona kanë humbur jetën e pesë të tjerë janë lënduar të dielën në një aksident trafiku në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, në segmentin rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksident janë përfshirë dy vetura, ku njëra prej tyre ishte veturë zyrtare e Policisë. Katër prej të lënduarve janë zyrtarë policorë.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, derisa hetuesit rajonalë të trafikut rrugor po merren me rastin.

“Sonte rreth orës 18:40, është  raportuar për  aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt. Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë. Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër  prej tyre zyrtarë policor. Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa për  hetimet dhe shkaqet e aksidentit po merren hetuesit e njësitit rajonal të  trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin policor.


Një i vdekur e disa të lënduar në një aksident në rrugën Mitrovicë-Pejë

(20:40) - Një person ka vdekur e disa të tjerë janë lënduar të dielën në një aksident trafiku në rrugën magjistrale Mitrovicë-Pejë.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar për rastin, derisa bëri me dije se njëri prej të lënduarve është në gjendje të rëndë.

Ai iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës.

“Sapo u njoftuam për një aksident me fatalitet të ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë - Pejë, përkatësisht në fshatin Çubrel, ku për pasojë ka vdekur një person dhe janë lënduar disa të tjerë, një nga të cilët po lufton për jetën, ndërsa lutemi për të dhe për të aksidentuarit tjerë. Në këto çaste të rënda, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, ndërkaq të lënduarve iu dëshiroj shërim të shpejtë”, ka shkruar ai në Facebook.

KOHA ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë informacione mbi aksidentin dhe artikulli do të plotësohet sapo të ketë përgjigje.