Kronikë

Një i vdekur dhe tre të lënduar në aksidentin mes trenit dhe veturës në Klinë

Shiriti i policise

Një person ka mbetur i vdekur dhe tre të tjerë të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku të dielën në Jagodë të Klinës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë për KOHËN se treni e ka goditur një veturë. 

Sipas tij, të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit në Pejë. 

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:25. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet emergjente dhe zjarrfikësit. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes. Tre të lënduarit janë dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë”, ka thënë ai.