Një vajzë 9-vjeçare në Pejë dhe një 14-vjeçare në Prishtinë dyshohet se u dhunuan të dielën. Për rastin në Pejë është ndaluar një person i moshës 26-vjecare, ndërsa për atë në Prishtinë, ende jo. Për rastet ka reaguar Rrjeti i Grupit të Grave, duke kërkuar që këto raste të hetohen me prioritet
Një vajzë në Prishtinë dhe një në Pejë dyshohet se u dhunuan të dielën.
Sipas burimeve të KOHËS, viktimat janë të mitura - ajo në Pejë 9-vjeçare, kurse ajo në Prishtinë, 14-vjeçare.
Në raportin 24 orësh të Policisë, të hënën thuhet se janë duke u kryer hetime intensive.
Për rastin në kryeqytet, në raport është thënë se nuk ka të arrestuar. E në Prokurorinë Themelore në Prishtinë nuk kanë dhënë detaje.
Policia ka bërë të ditur se viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor, gjë që është konfirmuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
“Mund të konfirmoj që ekzaminimi mjeko-ligjor është kryer dje, ndërsa raporti do të dorëzohet sot në Prokurori. Për detajet e tjera drejtohuni te Prokurori i Shtetit”, thuhet në njoftimin e IML-së.
E në Pejë është arrestuar i dyshuari për dhunimin e 9-vjecares, që sipas burimeve të KOHËS, është një 26-vjecar.
Në Prokurorinë e Pejës kanë konfirmuar arrestimin e të dyshuarit.
“Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje dhe pritet që gjatë ditës së martë të dal para gjykatës. Ndërsa viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor”, ka konfirmuar Prokuroria.
Për këto raste ka reaguar edhe Rrjeti i Grupit të Grave, teksa ka kërkuar hetim me prioritet.
“Brenda 24 orëve në Kosovë ndodhën dy raste të dhunimeve në Kosovë që dyshohet se janë të mitura. Ky është një krim i papranueshëm. Nuk duhet të lejojmë assesi që dhuna të normalizohet, prandaj, kërkojmë edhe një herë me ngulm nga institucionet përgjegjëse t’i hetojnë rastet me prioritet dhe me seriozitetin më të lartë, ndërsa përgjegjësit të marrin dënimet e merituara”, thuhet në reagim.
Rast i dhunimit të një të miture është raportuar edhe para tri javëve në Fushë-Kosovë.