Kronikë

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për spiunazh

Muharrem Qerimi (i pari) e Bedri Shabani (i dyti)

Muharrem Qerimi (i pari) e Bedri Shabani (i dyti)

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ta shtyjë seancën fillestare për të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi.

Ky vendim u mor pasi avokatët e të akuzuarve kërkuan, e seanca e shqyrtimit do të mbahet më 17 mars.

Avokati i Shabanit, Besnik Berisha, tha se klientit të tij i duhet më shumë kohë për t’u njohur me aktakuzën, në mënyrë të ai të vihet në dijeni në detaje mbi fajësinë apo pafajësinë e tij.

Më 5 qershor të 2024-s, Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Policia i kishin arrestuar të pandehurit në Ferizaj.

Ata dyshohet se kanë bërë spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).


Çka thotë aktakuza:

1.            I pandehuri Bedri Shabani;

I.             Nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij më dt. 05.06.2024, i pandehuri Bedri Shabani, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si “BIA”) në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”), përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike, të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes, dhe masakrën e Reçakut, në atë mënyrë që i pandehuri, të dhënat dhe informacionet në fjalë, ja u kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Srgjan ROSIÇ, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel, Bogoljub Janiçeviç, ish-Komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt gjatë kohës së Luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut, përmes komunikimeve telefonike , postës elektronike dhe takimeve fizike, të zhvilluara në territorin e Serbisë, çka me këto veprime, i pandehuri ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-në në krijimin e një narrative të pavërtetë, me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së të Mollopolcit të Shtimes, me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikim organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviç, që të ndërmarrin veprimeve operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.      

-              Me këtë i pandehuri Bedri Shabani, e ka kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK –së.

2.            I pandehuri Muharrem Qerimi,

II.            Nga viti 2012, e në vazhdimësi e deri në momentin e arrestimit të tij, me dt.05.06.2024, i pandehuri Muharrem Qerimi, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si “BIA”) në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshëm që kanë të bëjnë me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ja ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Srgjan ROSIÇ, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë, çka me këto veprime, i pandehuri e ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

-              Me këtë i pandehuri Muharrem Qerimi, e ka kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 lidhur me nenin të KPRK –së.

III.           Po ashtu, nga data e pacaktuar e deri me dt. 05.06.2024 në Ferizaj, të pandehurit gjatë zbatimit të Urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit Ekol Tuna me calibër 8mm, një karikator me gjashtë fishek në të, 20 fishek të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikator tjerë me shenjën e gjysmë hënës dhe një rrumbullakë, të cilat i janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

-              Me këtë i pandehuri Muharrem Qerimi, e ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.


Nis shqyrtimi fillestar për të akuzuarit për spiunazh

Të mërkurën ka nisur shqyrtimi fillestar i dy të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi.

Prezentë janë kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, avokati i Qerimit, Betim Shala dhe ai i Shabanit, Besnik Berisha.

Berisha tha se klientit të tij i duhet më shumë kohë për t’u njohur me aktakuzën, në mënyrë të ai të vihet në dijeni në detaje mbi fajësinë apo pafajësinë e tij.

Ai tha se aktakuza është voluminoze dhe se Shabanit i duhet kohë për ta analizuar aktakuzën.

“Na duhet t'ju njoftojmë se deklarimi i klientit tim është i pamundur për shkak se pak minuta para se të hynim në sallë i është dorëzuar një kopje e aktakuzës... Kam frikë se sot nuk kemi kushte për të vijuar më tutje sepse është e pamundur që brenda këtij afati të shkurtër të lexohet e të analizohet dhe që për këto z. Shabani të deklarohet...” ka deklaruar Berisha.

Më 5 qershor të 2024-s, Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Policia i kishin arrestuar të pandehurit në Ferizaj.

Ata dyshohet se kanë bërë spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).

BIA serbe kishte reaguar, duke mohuar se të dyshuarit kanë pasur ndonjë lidhje me të.