Kronikë

Të akuzuarit deklarohen të pafajshëm për rastin e foshnjës në lavatriçe

Nis gjyqi për rastin e vdekjes së foshnjës në lavatriçe

Dy të akuzuarit, S.I. dhe E.A. janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare gjyqësore lidhur me akuzën për  futjen e një foshnjeje të pajetë në lavatriçen e spitalit rajonal të Pejës më 13 dhjetor të 2022-s.

Sipas aktakuzës, S.I. si punonjës shëndetësor nuk ishte kujdesur që fryti i lindur i vdekur me operacion nga pacientja me inicialet M.Z. të vendosej në dhomë me frigoriferët që përdoren për vendosjen e placentave. Ai akuzohet se s’ka mbikëqyrur stafin dhe fryti i vdekur ishte vendosur në një çarçaf të bardhë e që më pas pa dijeni ishte marrë nga punëtorët teknikë dhe ishte hedhur në shportën që bartte çarçafët e papastër për t’i dërguar në lavanderi për pastrim. Fryti ka mbetur aty deri kur prindërit e kanë tërhequr.

E akuzuara E.A. sipas aktakuzës si mami infermiere kujdestare nuk kishte kryer punën e saj duke iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “dëmtimi i varrezave apo kufomave”.