Kronikë

Nga 30 ditë paraburgim dy të dyshuarve për vrasjen e 89-vjeçarit në Ferizaj

paraburgim

Foto: Ilustrim

Dy të dyshuarve për vrasjen e 89-vjeçarit gjatë një dasme në Ferizaj, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Avokati i të akuzuarit me inicialet F.R., i cili ishte edhe polic, tha se klienti i tij është mbrojtur në heshtje. Tre personat e përfshirë në këtë rast kanë lidhje familjare

Gjykata Themelore në Ferizaj ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy të dyshuarve për vrasjen e një 89-vjeçari në parkingun e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt. 

Në njoftimin e publikuar thuhet se pretendimet e prokurorisë për caktimin e paraburgimit janë të bazuara, për shkak të peshës së veprës për të cilën dyshohen F.R, pjesëtar i policisë së Kosovës dhe djali i dajës së tij, i dyshuari J.M. 

“I pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur një mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike ka shtënë disa herë në të ndjerin S.S. dhe me atë rast ka vënë në rrezik edhe personat e tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Arben Isufi, avokati që e përfaqëson të dyshuarin F.R., ka thënë se nuk pajtohen me prokurorinë sa i përket identifikimit të motivit të kryerjes së veprës. 

“Ne bëmë kundërshtime mbi pretendimet lidhur me motivin e veprës penale, pasi që ende nuk dihet..., klienti im është mbrojtur në heshtje”, ka deklaruar Isufi.

Dy të dyshuarit kishin lidhje familjare me viktimën. Njëri e kishte burrë të tezës, e tjetri burrë të hallës. 

Rasti ndodhi mbrëmjen e së premtes, e Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur që polici i dyshuar për rastin është suspenduar.  

Të dielën në ambientet e Gjykatës së Ferizajt u panë edhe përfaqësues të këtij institucioni.

Lidhur me këtë rast në diskutim është përfshirë edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila akuzoi disa media për propagandë, pas raportimeve se i ndjeri është xhaxhai i burrit të presidentes, Prindon Sadriu dhe se kanë pasur njohuri lidhur me dhunimet që pretendohet që janë kryer nga i ndjeri S.S. Ajo u bëri thirrje institucioneve të sigurisë e të drejtësisë që të nisin hetime.

E pas thirrjes së presidentes për hetimet nga organet e sigurisë dhe të drejtësisë mbi publikimet e mediave për rastin, kanë reaguar në Asociacionin e Gazetarëve. Nëpërmjet një postimi në Facebook, në AGK e kanë kualifikuar si precedent të rrezikshëm e të papranueshëm thirrjen e presidentes Osmani për hetime ndaj mediave. Të papranueshme e të rrezikshme e kanë kualifikuar edhe akuzën e përsëritur nga presidentja se mediat punojnë për Serbinë.