Me nga 25 vjet burgim janë dënuar të pandehurit M.A., F.F. dhe R.B., për vrasjen e viktimës A.B., që kishte ndodhur më 6 tetor 2016 në Suharekë.
Gjykata Themelore në Prizren i ka gjetur fajtorë dy të pandehurit e parë për veprën penale “vrasje e rëndë”, e të pandehurën R.B. për veprën penale “shtytje në vrasje të rëndë”.
Themelorja ka njoftuar se M.A. dhe F.F., të shtyrë nga bashkëshortja e të ndjerit, R.B., e kishin kanosur viktimën e me duar të lidhura e kishin dërguar në varrezat e fshatit Studençan, ku kishin filluar ta godisnin me mjete të forta.
Viktima thuhet se kishte pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa të pandehurit më pas e kishin hedhur në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe, duke ia vënë zjarrin.
Gjykata e Apelit për herë të dytë kishte marrë aktvendim për këtë rast e ishte anuluar aktgjykimi i Themelores, ndërsa çështja ishte kthyer në rigjykim.