Kronikë

Nga 12 serbët e ndaluar në Prizren dhjetë janë liruar në procedurë të rregullt

Policia e Kosovës

Foto ilustrim

Nga 12 serbët që janë ndaluar të dielën në Prizren, dhjetë prej tyre pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt dhe dy janë ndaluar për 48 orë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka thënë për KOHËN, se dy persona janë ndaluar për prezantim të rrejshëm. Ata kishin deklaruar se janë persona zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por nuk kishin dokumente identifikuese. 
Personat ishin në tri vetura me targa serbe.

“Sot, më 06.04.2025, rreth orës 12:00, tri vetura me targa serbe, në të cilat ndodheshin 12 persona – shtetas të Serbisë – janë ndaluar te ura e ‘Arastës’. Personat dhe veturat janë kontrolluar dhe më pas janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren për legjitimim dhe intervistim”, ka deklaruar Gashi. “Pas intervistimit, dhjetë persona janë liruar, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar pasi u prezantuan si pjesëtarë të MUP-it serb, por nuk kishin asnjë dokumentacion që e dëshmonte një gjë të tillë”.

Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se në një operacion të realizuar nga organet e sigurisë më datat 5 dhe 6 prill janë ndaluar gjithsej 16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë.

Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se katër prej të ndaluarve janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.

Katër persona janë ndaluar në Gjalkovë e 12 në Prizren.

“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe”, ka njoftuar Sveçla. “Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”.

Sveçla ka thënë se, bazuar në hetimet paraprake, është konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë togeri, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit që kreu sulm terrorist në Banjskë, Nemanja Radivojeviqin, të njohur si “Gandi”. E ky është i afërt i Vladimir Radivojeviqit, me nofkën “Miami”, që është i dyshuar kryesor për vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku.