Kronikë

Në mungesë të prokurores, shtyhet gjykimi për 180 kg kokainë

Prokuroria Speciale e Kosovës

Në mungesë të prokurores speciale Merita Bina- Rugova, është shtyrë gjykimi në rastin ku Bashkim Kolshi po akuzohet për transportim të 180 kilogramëve kokainë dhe shpëlarje parash.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Lutfi Shala, prokurorja Bina-Rugova ka qenë e njoftuar për seancën e sotme përmes procesverbalit të seancës së kaluar.

Gjykatësi Shala ka thënë se arsyen e mungesës prokurorja nuk e ka treguar dhe se nuk ka qenë e qasshme në telefon. 

Lidhur me seancën e radhës, gjykatësi Shala ka thënë se palët do të njoftohen pas koordinimit rreth datës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 3 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Bashkim Kolshit, të cilin e akuzon për transportim të narkotikëve të llojit kokainë dhe shpëlarje parash.

Kontrabandimin e narkotikut, aktakuza thotë se i pandehuri Kolshi e ka bërë me dhjetë dërgesa gjatë periudhës prill-maj-qershor 2019. /BetimipërDrejtësi