Një qytetar ka mbetur i vrarë e një tjetër u ka mbijetuar plagëve, pasi dy persona hynë në një lokal në kryeqytet dhe shtinë me armë në drejtim të tyre. Autoritetet ende nuk i kanë kapur të dyshuarit. E, njohësit e sigurisë thonë se shkalla e kriminalitetit është rezultat edhe i numrit të madh të armëve ilegale në Kosovë
Nuk janë kapur personat që dyshohet se mbrëmjen e së martës vranë një 63-vjeçar, duke shtënë me armë zjarri në një lokal në kryeqytet.
Sipas Policisë, dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë në drejtim të dy viktimave, njëri prej të cilëve u ka mbijetuar plagëve.
E në Prokurori nuk dhanë detaje për motivet e sulmit dhe as për të dyshuarit, që ndodhen në arrati.
“Më shumë informacione tani për tani nuk mund të ofrojmë, sepse mund të dëmtohet integritetit i hetimeve të rastit në fjalë”, ka bërë të ditur Prokuroria.
Të dyja viktimat e sulmit janë dërguar në QKUK mbrëmjen e së martës.
Agron Çitaku, mjek kujdestar në Klinikën Emergjente, ka treguar gjendjen në të cilën viktimat kanë qenë pas sulmit.
“Rreth orës 22:35 minuta ka ardhur i pari i plagosur, që praktikisht ka qenë pothuajse pa shenja jete. Është bërë reanimimi i tij për afro gjysmë ore dhe ka ndërruar jetë. Mund të themi se reanimimi nuk ka qenë i suksesshëm. Diku pas 15 minutave ka ardhur i plagosuri tjetër, që është me tri plagë, por është në gjendje stabile”, ka thënë Çitaku.
Edhe të mërkurën në QKUK është trajtuar personi që u ka mbijetuar plagëve. Drejtori i Repartit të Ortopedisë, Xhavit Gashi, tha se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Gjendja është stabile për momentin. Ka lëndime në ekstremitete, pra në këmbë, dhe planifikohet një operim në të ardhmen, në këmbën e majtë”, ka thënë Gashi.
Kjo është vrasja e katërt që ka ndodhur brenda tri ditësh në Kosovë. Të hënën ndodhi një vrasje në Vushtrri, e një ditë më vonë edhe dy të tjera në të njëjtën komunë.
Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se numri i armëve ilegale që qytetarët i kanë në posedim përbën një nga faktorët që kanë rritur shkallën e kriminalitetit.
“Duke e ditur se në Republikën e Kosovës janë 300 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve e që nuk do të duhej të ishin, sepse janë institucionet e konsoliduara, policia e konsoliduar dhe gjitha të tjerat. Andaj, shtrohet pyetja se çka i nevojitet arma qytetarit të Republikës së Kosovës duke e pasur Policinë e Kosovës”, ka thënë Dashevci.
E, kryeministri Albin Kurti kërkoi që autoritetet të jenë më aktive dhe që vrasësit të marrin dënimin meritor.
“Vrasja është akti më i rëndë që mund t’ia bëjë njeriu-njeriut. Ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai njeri bënte pjesë, pra shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur e është lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, të ndalet, të dënohet”, ka thënë Kurti.
Sipas raporteve të Policisë, gjatë vitit 2024 në Kosovë u raportuan 17 vrasje.