Kronikë

Ndalohet për 48 orë personi që dyshohet se e ndihmoi Faton Hajrizin pas arratisjes

Faton Hajrizi

Policia e Kosovës ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë një person që dyshohet se e kishte ndihmuar Faton Hajrizin, pas arratisjes nga burgu i Smrekonicës së Vushtrrisë, dy javë më parë.

Faton Hajrizi iku nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik për t'u bërë e nënta herë që arratisej nga burgjet e Kosovës. Autoritetet në Serbi thanë të premten se e vranë atë, ditën e dytë pasi ai e qëlloi për vdekje një polic dhe një tjetër e plagosi, derisa po përpiqej ta kalonte kufirit për në Bosnjë-Hercegovinë. 

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime në lidhje me arratisjen e ndodhur ditë më parë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me datë 20.07.2024 është ftuar për intervistim një person mashkull kosovar, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin pas arratisjes nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. Për të gjitha veprimet hetimore është konsultuar prokurori kompetent, me vendim të të cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, ka bërë të ditur për KOHËN Drejtoria për Informim e Policisë së Kosovës të shtunën.

E një ditë pasi Hajrizi u vra, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, akuzoi Serbinë se ka gisht në disa prej arratisjeve nga burgjet e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, paraprakisht e akuzoi Kosovën se organizoi aktin e vrasjes së policit serb dhe Hajrizit iu referua si “terrorist shqiptar”. Sipas tij, Hajrizi ishte pjesë e strukturave të Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë një ditë më parë se ka shumë gjëra të çuditshme në të gjithë historinë e Hajrizit, dhe se ai ishte i ndikuar nga shërbime të ndryshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për mospolitizim të rastit.