Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për “ushtrim ndikimi”.
Prokuroria ka njoftuar se ndaj të dyshuarit A.L. do të vazhdohet me procedura të mëtejshme hetimore.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale A.L., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartpërmendur, do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria ka thënë se i dyshuari më 17 mars të vitit 2023 në Prishtinë, kishte kërkuara para për vete që të ushtronte ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar. Sipas Prokurorisë, A.L. kërkoi 40 mijë euro që të ushtronte ndikim te gjyqtarë e prokurorë për ta liruar nga paraburgimi të pandehurin E.S. që gjendej në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan shkaku i dyshimit për “fajde” dhe “shmangie tatimi”.
A.L. ishte takuar me vëllain e të pandehurit E.S. duke kërkuar këtë shumë të parave.
A.L. gjendet që nga e mërkura në ndalim. Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim.