Kronikë

Ndalohet në Jarinjë vetura me targa serbe, në të u gjetën mbi 32 kg drogë

Droga e kapur ne nje veture me targa serbe ne Jarinje

Policia e Kosovës ka ndaluar në Jarinjë një veturë me targa serbe, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 32 kilogramë drogë. 

Policia ka bërë të ditur se pas informatave që ka marrë ka realizuar një operacion në pikëkalimin kufitar në Jarinjë. Në një veturë Mercedes A-Class me targa serbe janë gjetur 30 pako me substancë, që dyshohet të jetë marihuanë. Pesha totale ishte 32.4 kg drogë. 

I dyshuari është ndaluar për 48 orë. 

“Më datën 24 mars 2023, pas marrjes së informacionit të besueshëm se një automjet me targa serbe dyshohet se po transporton narkotikë. DHTN-Mitrovicë veri, në koordinim me Policinë Kufitare dhe mbështetje nga Njësia e Krim Teknikes, ka realizuar një operacion në Pikën e Kalimit Kufitar Republika e Kosovës–Serbi në Jarinjë. Gjatë realizimit të operacionit policor të koduar ‘SHTEGU’ për kontrolle të disa automjeteve të dyshuara, një automjet i markës Mercedes A-Class me targa serbe është përzgjedhur për kontroll. Pasi janë ngritur dyshime të theksuara, automjeti në fjalë është dërguar në Mitrovicën e Jugut për një kontroll më të detajuar. Gjatë inspektimit dhe kontrollit të automjetit, në pjesën e poshtme të tij është gjetur një rezervuar i shtuar metalik, me përmasa 160x97 cm dhe thellësi 25 cm, i cili dyshohej të mbante substanca narkotike. Pas hapjes së rezervuarit, janë gjetur gjithsej 30 pako të mbështjella me folie transparente, që përmbanin substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë. Pesha totale e sasisë së konfiskuar është 32.4 kilogramë”, ka njoftuar Policia. 

Operacioni është realizuar në konsultim të plotë me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. 

“Në përputhje me procedurat ligjore, dy telefona celularë janë konfiskuar dhe automjeti i dyshuar është sekuestruar për hetime të mëtejshme. I dyshuari, me iniciale (N.M-Beograd) pas veprimeve të para hetimore, është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimi i rastit vazhdon nga antidroga- Mitrovicë e Veriut. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe rendin, duke luftuar me vendosmëri çdo formë të krimit, përfshirë trafikun e narkotikëve dhe veprimtaritë e paligjshme që rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe inkurajon çdo individ që ka informacione për aktivitete të dyshimta kriminale, që të kontaktojë autoritetet përkatëse”, ka thënë Policia.