Kronikë

Ndalohet i dyshuari për vrasjen e personit që u raportua i zhdukur në Ferizaj

burg

Një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer vrasje të rëndë, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se L.F., dyshohet se e ka vrarë viktimën B.V., i cili është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij, ndërsa të mërkurën është gjetur trupi i tij në malet e fshatit Manastirc të Ferizajt. 

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale L.F., për shkak të dyshimit të veprës penale 'Vrasja e rëndë'. Pas hetimeve të ndërmarra nga ana e hetuesve rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohet dhe ndalohet i dyshuari L.F., lidhur me rastin kur fillimisht një person me inicialet B.V., është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij dhe sot më datën 05 Shkurt 2025, është gjetur trupi i pajetë i të ndjerit B.V., në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Tutje thuhet se Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim me Policinë, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje penale.