Kronikë

Ndalohen dy zyrtarë të Komunës së Graçanicës, dyshohen për korrupsion

Arrestime Komuna e Graçanicës

Policia e Kosovës ka ndaluar dy zyrtarë të Komunës së Graçanicës, nën dyshimin për korrupsion.

Policia e Kosovës ka njoftuar se krimet ekonomike në bashkëpunim me organet e drejtësisë kanë realizuar operacionin policor në Komunë e Graçanicës.  

"Ky operacion policor, deri më tani ka rezultuar me shoqërimin e dy personave të dyshuar për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Pas përfundimit dhe kompletimit të operacionit policor, do të bëhen të ditura informacionet shtesë", tha Policia e Kosovës. 

Për aksionin ka njoftuar edhe kryetarja e Graçanicës, Liliana Shubariq, transmeton “Kossev”. 

Në një prononcim për media ajo ka thënë se me këtë hetim dhe ndalim nuk është vënë në dyshim puna e menaxhmentit të Komunës apo menaxhmentit të Drejtorisë së Kadastrit, por bëhet fjalë për punën e dy zyrtarëve. 

Ajo ka thënë se po zhvillohet një hetim dhe se nuk do të spekulojë më tej. 

E pyetur pse janë ndaluar zyrtarët, ajo ka thënë se bëhet fjalë për korrupsion. 

“Ne kemi thënë se ata (policia) mund të bëjnë punën e tyre dhe duhet ta bëjnë atë”, tha Shubariq. 

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë hyrë rreth orës 12:30 në objektin e Komunës së Graçanicës, e po ashtu kanë hyrë edhe disa anëtarë të EULEX-it. 

Dy zyrtarët e ndaluar thuhet se ishin pjesë e Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Graçanicës.