Kronikë

Mungesa e njërit nga 18 të akuzuarit e dështon seancën për rastin “Transportuesi”

Mungesa e njërit prej 18 të akuzuarve për kontrabandën e rreth 650 mijë litrave naftë dhe vajra të ndryshme ka bërë që të mërkurën të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar për rastin në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të akuzuarit ngarkohen për aktivitete të ndërmarra në periudhën qershor-dhjetor të vitit 2014. 
Në rastin e njohur si “Transportuesi” fillimisht kanë qenë 21 të akuzuar, mirëpo për 3 prej tyre ndërkohë procedura është veçuar. 

Aktakuza i ngarkon ata se kanë sjellë mallra në mënyrë të jashtëligjshme nga Serbia dhe veriu i vendit.

“Ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në dyqane të ndryshme dhe depo, krejt kjo me qëllim që vetes apo personit tjetër t’ia mundësojnë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore apo tarifave të tjera ose detyrimeve doganore që paguhen me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, duke e bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore që tejkalon shumën prej 30 mijë eurosh”, thuhet në aktakuzë.

Të pandehurit në këtë rast janë të akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Kontrabandë e mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”.

Lidhur me rastin Prokuroria ka në posedim përgjime, ndërsa si evidencë ka paraqitur edhe mallrat e sekuestruara. Organi i akuzës ka pretenduar gjithashtu se grupi ka pasur edhe lidhje me pjesëtarë të policisë.

“Ky grup kriminal ka krijuar lidhje shumë të mira me disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nga të cilët kanë ndihmë të madhe në lehtësimin e qarkullimit të automjeteve që bartin mallrat kontrabandë. Automjeti i cili transporton mallrat kontrabandë gjatë gjithë kohës është nën përcjelljen e tri veturave të ndryshme që patrullojnë para këtij automjeti”, është theksuar në aktakuzë.

Rasti “Transportuesi” është njëri prej më të mëdhenjve të krimit të organizuar, i cili është iniciuar nga prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), i cili e ka përmbyllur mandatin për sistem gjyqësor e prokurorial në vitin 2018.