Një mësues me inicialet F.K. nga Vushtrria është suspenduar nga puna pasi akuzohet se ngacmoi seksualisht një nxënëse të klasës së gjashtë.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN edhe kryetari i Komunës së Vushtrisë, Ferit Idrizi, i cili ka thënë se nuk do të ketë tolerim ndaj rasteve të tilla.
Jeton Salihu nga komisioni disiplinor i Komunës së Vushtrrisë ka thënë se mësuesi aktualisht është suspenduar me 50 për qind të pagës. Sipas Salihut, pas përfundimit të procesit penal do të merren masa të tjera.
“Sipas ligjit në fuqi ne e kemi suspenduar me 50 për qind të pagës deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij. Ne kemi kërkuar nga Prokuroria e Mitrovicës se deri ku ka shkuar procesi ndaj këtij mësimdhënësi dhe ata nëpërmjet një shkrese na kanë njoftuar se kanë ngritur aktakuzë dhe ne menjëherë kemi marrë masat e suspendimit sepse paraprakisht edhe kemi mbajtur seancat rreth këtij rasti”, ka thënë Salihu për KOHËN.
Rasti për ngacmim seksual është raportuar më herët, mirëpo mësuesi ka vazhduar të punojë. Salihu ka thënë se mësuesi ka vazhduar të punojë pasi Prokuroria nuk ka marrë ndonjë masë. Është suspenduar tek pasi është ngritur aktakuza ndaj tij.
“Po ka qenë duke punuar sepse ne nuk kemi mundur të reagojmë deri sa jemi njoftuar nga prokuroria se cilat veprime janë marr dhe me të pranuar shkresën se është ngritur aktakuza kemi reaguar”, ka thënë Salihu.
Salihu e ka lënë fajtor drejtorinë e shkollës ku punon mësuesi se e ka neglizhuar rastin.
“Po drejtoria veç është e njoftuar me ato çka shkruhet në atë shkresë elektronike të Prokurorisë se ka pasur neglizhencë në trajtimin e këtij rasti nga ana e drejtorisë së shkollës rreth lajmërimit”, ka theksuar Salihu.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se aktakuza ndaj të pandehurit F.K. është ngritur më 20 dhjetor. Mësuesi po akuzohet për veprat penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “ngacmimi seksual”.