Kronikë

Me dokumente false aplikoi në tenderin 400 mijë eurosh, arrestohet për mashtrim në prokurim

arrestim

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Gjilan ka arrestuar një të dyshuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik. 

Në njoftimin e Policisë thuhet se gjatë zhvillimit të hetimeve, janë siguruar prova të besueshme se i dyshuari kosovar si person i autorizuar, me rastin e aplikimit në një aktivitet të prokurimit, me qëllim të mashtrimit si dhe ndikimit në vendimin në procedurën e vlerësimit, ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme apo të falsifikuara, për t’i plotësuar kërkesat, në mënyrë që të përfitojë kundërligjshëm në fonde publike sipas ofertës së çmimit nga shuma e përgjithshme e vlerës së parashikuar prej 400 mijë eurosh.

“Me këtë rast nga këto veprime është krijuar dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ nga neni 415 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin personi i dyshuar me datën 14.04.2025 është intervistuar dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të Shtetit i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.