Seanca ndaj katër të akuzuarve për sulmin ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut është mbyllur.
Kjo është bërë me kërkesë të mbrojtësit të Aleksandar Vllajiqit, avokati Millosh Deleviq, të cilit gjykata i aprovoi kërkesën për ta dëgjuar një dëshmitar në seancë të mbyllur.
Organi i akuzës pretendon se më 6 dhjetor 2022 u realizua sulmi terrorist ndaj KKZ-së në Mitrovicë të Veriut e një autoambulancë u përdor për bartje të granatave të dorës të cilat, sipas aktakuzës, i mori i akuzuari Milun Milenkoviq – Llune.
Krahas tij, edhe Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq e Miomir Vakiq po përballen me akuzat e prokurorisë se kanë hedhur granata dore dhe shok-bomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve.