Kronikë

Lirohen nga paraburgimi zyrtarët e dyshuar për keqpërdorim në ndërtimin e stadiumit të Magurës

Nëntë të dyshuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare në projektin e ndërtimit të stadiumit të Magurës në Lipjan, janë liruar nga paraburgimi të mërkurën.

Avokati i të pandehurit Xh.M., Driton Muharremi, ka thënë për KOHËN se vendimi për t’u mbrojtur në liri, është marrë nga Gjykata Supreme.

“Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtjes dhe të gjithë të dyshuarve ua ka ndërprerë masën e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri. Nuk ka ndonjë masë tjetër alternative për praninë e të pandehurve në procedurë, por janë liruar për t’u mbrojtur në liri”, ka thënë ai.

KOHA ka siguruar vendimin e Gjykatës Supreme, ku thuhet se janë aprovuar si të bazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë e mbrojtësve të të pandehurve, me ç’rast ndryshohet aktvendim i gjykatës Themelore në Prishtinë më datë 24 janar të këtij viti dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit më 31 janar.

“Të gjithë të pandehurve iu ndërpritet masa e paraburgimit sot më 15 shkurt 223 dhe të njëjtit lëshohet për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në vendim.

Të pandehurit janë arrestuar më 23 janar në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit të futbollit në fshatin Magurë të Lipjanit, kinse kanë kryer punime sipas kontratës së fituar nga një kompani.

https://www.koha.net/kronike-e-zeze/362549/arrestohen-nente-zyrtare-qe-bene-pranimin-e-stadiumit-ne-magure-pa-i-plotesuar-kushtet/