Kronikë

Kosovari që vrau gruan dhe veten në Zvicër ishte liruar nga burgu pak më parë

Vendi ku ndodhi vrasja

Vendi ku ndodhi vrasja

Një krim tronditës ka ndodhur në qytetin Epagny të kantonit Fribourg në Zvicër, ku një shtetas kosovar vrau gruan e tij dhe më pas i mori jetën vetes. Ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes, në shtëpinë ku gruaja punonte si pastruese.

Sipas autoriteteve, autori i dyshuar, Blerim R.*, 41 vjeç, ishte liruar nga burgu më 5 dhjetor 2024 pasi ishte arrestuar më 18 shtator të po atij viti. Ai ishte arrestuar për dhunë në familje dhe ishte liruar me kushte, përfshirë ndalim kontakti me viktimën, këshillim terapeutik dhe mbikëqyrje të kushtëzuar.

Mëngjesin e ngjarjes, ai kishte shkuar në vendin e punës së bashkëshortes së tij, ku fillimisht u përball me pronarin e shtëpisë që i kërkoi të largohej. Më pas, ai qëlloi me një armë të gjatë dhe hyri në banesë, ku vrau gruan e tij 39-vjeçare në katin e parë, përpara se të vriste veten në katin e sipërm. Pas të shtënave, në shtëpi shpërtheu edhe një zjarr që u shua nga emergjenca rreth mesditës.

Hetimet zbuluan se burri kishte plagë nga një plumb, ndërsa gruaja kishte katër plagë të tilla. Çifti kishte katër fëmijë, ndërsa viktima kishte bërë më herët kallëzim penal dhe kishte nisur procedurat për divorc.

Pronarët e shtëpisë, të dy 81-vjeçarë zviceranë, janë shprehur të tronditur nga ngjarja.

Disa ditë më herët, gjithashtu në Zvicër, një 60-vjeçar nga Kosova vrau gruan e tij, po ashtu nga Kosova.

Ngjarjet kanë shkaktuar zemërim dhe reagime të ashpra në opinionin publik. Redaktori i të përditshmes zvicerane “Tages Anzeiger”, Enver Robelli, ka kërkuar reagim të menjëhershëm të komunitetit shqiptar në Zvicër.

“Këto krime nuk duhet të mbesin statistika! Këto krime duhet të ngjallin zemërimin e komunitetit shqiptar! Sepse nuk po ua marrin jetën vetëm grave të pafajshme, por po shpalosin edhe një mendësi primitive burrash pa pikë dinjiteti”, ka shkruar Robelli në Facebook.

Ai theksoi rëndësinë e debatit publik mbi dhunën në familje, nevojën për mbrojtjen e grave dhe çrrënjosjen e mendësisë patriarkale që nxit dhunën dhe e bën atë të pranueshme në heshtje.

“Le të flitet hapur për helmin maskulin mes komunitetit shqiptar. Dhe duke folur e duke e shpalosur problemin, të gjenden rrugë për luftimin e të keqës më të madhe ndër shqiptarë sot për sot: dhunën familjare, në të vërtetë terrorin e burrave ndaj grave”, përfundoi ai.