Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tetë personave të arrestuar gjatë aksionit të realizuar më 19 mars në 21 lokacione të rajonit të Mitrovicës.
Gjatë këtij operacioni, autoritetet sekuestruan nëntë armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, dy palë pranga, një thikë, pjesë të armëve dhe një pajisje DVR.
Sipas Prokurorisë, tre nga të pandehurit, B.H., I.P. dhe O.B., dyshohen për veprat penale “Detyrimi” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. Ndërkohë, pesë të arrestuarit e tjerë, A.S., T.R., A.B., Sh.S. dhe N.R., dyshohen për “Import, eksport, furnizim, transport, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse”.
Seanca për caktimin e paraburgimit për të pandehurit pritet të mbahet sot.
Nga aksioni i djeshëm, u ndaluan në total 16 persona. Por vetëm për tetë prej tyre ka kërkesë për caktim të paraburgimit. Në mesin e të arrestuarve është edhe një polic serb.