Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgim prej 30 ditësh R.J. i cili dyshohet për falsifikim të dokumenteve dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Sipas Prokurorisë, gjatë tetorit në Ferizaj i dyshuari ka përpiluar dokument të falsifikuar duke e përdorur atë për ta bërë një autorizim të falsifikuar në emër të dikujt tjetër me inicialet M.Sh., kinse ai ishte bërë nga një notere në Maqedoninë e Veriut. Përmes këtij autorizimi fals ai e autorizon veten që të lidh kontratë shit-blerjeje për t’ia shitur pronën e M.Sh. personit tjetër me inicialet P.D.
Shuma e pronës ishte 50 mijë euro.
“Po ashtu, ndaj të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me datë 16 Tetor 2024, rreth orës 14:30 në Ferizaj, rruga e ‘Reçakut’, përkatësisht në zyrën e noterit, i pandehuri me qëllim që të vërtetoj një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore ka tentuar të vë në lajthim noterin S.Sh., në atë mënyrë që prezanton autorizimin e falsifikuar të lartcekur dhe tenton që me të njëjtin të lidh një kontratë të shit-blerjes, për t’ia shitur pronën e paluajtshme të M.SH., personit P.D., në shumë prej 50,000.00 Euro, me ç’rast pas prezantimit të këtij autorizimit, noteri verifikon përmes e-mailit me noteren E.M. nga Maqedonia e Veriut dhe nga e cila konfirmohet se fare nuk është lëshuar ai autorizim dhe se nënshkrimi i saj dhe i përkthyeses është i falsifikuar, me të cilën ka tentuar të kryej veprën penale ‘Legalizimi i përmbajtjes së rreme’”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
I pandehuri që nga data 16 tetori, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.