Prokuroria Themelore në Gjilan ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve V.S. dhe F.M., të cilët dyshohen se kanë kryer “Vrasje të rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së bërë në Gjykatën Themelore në Gjilan, ekziston dyshimi se të pandehurit më 7 nëntor rreth orës 13:55 minuta, në rrugën ,”Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake, e kanë përcjellë të njëjtin duke iu vu pas me biçikleta, me ç’rast pasi i ndjeri ka dalë nga vetura, afrohen të pandehurit dhe nga afërsia i pandehuri V.S., gjuan një herë me armë në drejtim të tij mbrapa shpinës.
“Për shkak të plagës (S.O.) ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas (të dyshuarit) ikin në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të KPRK-së.
Tutje thuhet se i pandehuri V.S., dyshohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi pa autorizim ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila është sekuestruar.
Të pandehurit me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.