Kronikë

Kërkohet paraburgim i dy personave që ndihmuan në rrëmbimin e një të mituri

Paraburgim

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar t’u caktohet masa e paraburgimit L.C. dhe E.R. për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë ndihmuar kryerjen e një rrëmbimi. 

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se të dy e kanë ndihmuar një person tjetër, i cili është në arrati, ta rrëmbente një të mitur në mënyrë që ta detyronin vëllain e të miturit të kryente transport të substancës narkotike në Beograd.  

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit L.C. dhe E.R., më 20 Korrik 2024, në komunën e Gjilanit, me qëllim të përfitimit material, kanë ndihmuar të pandehurin e tretë, i cili gjendet në arrati, në kryerjen e veprës penale të rrëmbimit, në atë mënyrë që me veturë e kanë transportuar të njëjtin së bashku me të dëmtuarin e mitur nga komuna e Preshevës, nëpër lokacione të ndryshme, edhe pse kanë qenë në dijeni se i mituri ishte rrëmbyer nga i pandehuri i tretë, të cilin e kanë mbajtur të mbyllur në veturë, me qëllim që mos ta dorëzojnë gjersa vëllai i tij të kryente obligimin për transportim të substancës narkotike, për në Beograd”, ka njoftuar Prokuroria.

L.C. dhe E.R. me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.