Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë vend që t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh të miturit që dyshohet për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 1 prill rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën "Idriz Seferi", përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, “i mituri ne bashkëkryerje me madhorët me iniciale: H.B., R.M., V. Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, M.L., në atë mënyrë që viktima pas përfundimit të orarit të punës, rrugës për në banesën e tij, ku i njëjti ishte përcjellë në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më pas thuhet se viktima është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik dhe nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.
“Andaj, me këto veprime në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet tutje në njoftim.