Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit R.M., për shkak të aksidentit me fatalitet që dyshohet se e ka shkaktuar një ditë më parë në rrugën “Driton Islami” të kësaj komune.
Masën e paraburgimit prokuroria e ka kërkuar për shkak të dyshimit se ai ka kryer veprat penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës për personin e lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 07.08.2024, rreth orës 17:00, në rrugën ‘Driton Islami’ në Ferizaj, duke drejtuar automjetin e tipit ‘Opel Corsa’, në drejtim të rrugës magjistrale, i cili duke lëvizur ne shiritin e djathtë të drejtimit lëvizës dhe kur arrin në afërsi të hyrjes për në lagjen ‘Iliria’ i njëjti nga pakujdesia shkel ligjin për trafikun publik, duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë në vendbanim, në mënyrë që të ndalet me kohë para çdo pengese që mund të paraqitet, për pasojë derisa e ndjera Z.T.,- shtetase e Shqipërisë, ka qenë duke lëvizur – trupuar rrugën në vendkalimin për këmbësor nga hyrja e lagjes ‘Iliria’ për në anën tjetër të rrugës, me pjesën e përparme të anës së djathtë është goditur nga automjeti, si rezultat i së cilës fillimisht e ndjera dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe nga aty dërgohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) - Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë, me të cilën do të kryente veprën penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, thuhet se për të pandehurin ekziston dyshimi se nuk i ka ofruar ndihmë personit të lënduar- tashmë të ndjerës Z.T., duke ikur nga vendi i ngjarjes dhe duke e lënë të ndjerën pa i ofruar ndihmë si dhe nuk ka njoftuar numrat e emergjencës qe janë policia dhe ndihma e parë- ambulanca dhe për pasojë personi – tani i ndjerë - fillimisht ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe pastaj pas rreth dy ore ka ndërruar jetë në QKUK, me të cilën do të kryente veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, nga e mërkura gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh.