Kronikë

Kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar nga Maqedonia, i caktohet paraburgimi në Ferizaj

paraburgim

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.E., i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në bazë të urdhërarrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të njëjtit është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të datës 7 mars 2022 të shtetit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të veprës penale vrasja e rëndë.

Lidhur me këtë i pandehuri N.E., është dënuar me dënim burgimi nga Gjykata e Shkupit, ku i njëjti ka qenë në vuajtjen e dënimit disa vite, ashtu që ende pa e vuajtur në tërësi dënimin, por në momentin kur është liruar në vizitë, është arratisur nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform nenit 22 paragrafi 1 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështje Penale (Ligji nr. 04/L-213) dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 ditëve”, thuhet në njoftim.