Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë dënuar ashpër kërcënimet që thonë se i janë bërë përmes rrjeteve sociale prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, njëkohësisht zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli.
Sipas KPK-së, kërcënimet vijnë si rrjedhojë i punës së tij zyrtare që ndërlidhen me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e plantacioneve me bimë narkotike, të zbuluara kohëve të fundit.
“KPK dhe ZKPSH, theksojnë se këto kërcënime janë akte të shëmtuara, të papranueshme dhe të patolerueshme, andaj ua bëjnë me dije atyre që fshihen prapa tyre se janë të vendosur të qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurorit Qavolli dhe do t’i ofrojnë mbështetje të plotë për punën e tij në ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhet në reagim.
KPK-ja dhe Zyra e Kryeprokurorit kanë njoftuar tutje se po merret veprimet për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kërcënuar Qavollin.