Kronikë

Kërcënohet një 28-vjeçar nga Kosova në aksin rrugor Thumanë-Fushë-Krujë

Një 28 vjeçar nga Kosova, është kërcënuar mbrëmjen e së premtes, ndërsa po udhëtonte me veturën e tij në aksin rrugor Thumanë-Fushë-Krujë.

Policia e Durrësit është vënë në ndjekje të kanosësit misterioz, por pa mundur që ta kapë apo ta identifikojë atë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë po punojnë për identifikimin e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes, pasi në aksin rrugor Thumanë-Fushë Krujë, gjatë natës, një shtetas ende i paidentifikuar, për motive të dobëta ka kanosur shtetasin L. B., 28 vjeç, banues në Kosovë, i cili po udhëtonte me automjetin e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedural”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Pavarësisht se kanosja ka kaluar pa pasoja për 28-vjeçarin nga Kosova, rrugët në Shqipëri nuk janë plotësisht të sigurta.

Në fillim të shtatorit të vitit 2021, gjashtë persona të armatosur, të pajisur me fenelinë policie në veturën e tyre, ende të pa kapur, apo identifikuar nga ana e policisë, në aksin rrugor Milot-Rrëshen ia kanë zënë pritën një automjeti më të cilin po udhëtonin dy të rinj nga Kosova.

Personat e armatosur ia kanë marrë me forcë automjetin “Audi Q7” shtetasit Meriton Ahmetaj 21 vjeç nga Korisha e Prizrenit. Ahmetaj bashkë me shokun e tij F.M., 21 vjeç kanë qenë duke u kthyer nga pushimet që kishin kaluar në Budva të Malit të Zi, për në shtëpitë e tyre në Kosovë.