Kronikë

Katër vjet burgim burrit që shtyu në vetëvrasje të dashurën

Vetevrasje - Themelore

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me katër vjet burgim Leotrim Shalën, për shtytje në vetëvrasje të Betina Imerit.

Vendimi u mor të martën në rigjykim. Gjykatësja Marigona Lajçi ka thënë se është vërtetuar nga deklaratat e dëshmitarëve dhe komunikimet e të ndjerës me shoqet e saja në rrjete sociale për kërcënimet që ia kishte bërë i akuzuari.

Sipas gjykatës, janë vlerësuar edhe komunikimet mes të akuzuarit dhe viktimës dhe se pas një mosmarrëveshjeje e kishte kanosur e sharë. Shala e kishte pranuar edhe në polici se e ka kanosur viktimën edhe në të kaluarën.

Në gjykatë është thënë se i akuzuari kishte pasur mosmarrëveshje me të ndjerën vetëm dy orë para ngjarjes së rëndë.

Imeri ishte vetëvrarë më 8 shtator 2022, dhe gjatë aktit ishte në thirrje me video me të akuzuarin.

I pranishëm në seancë nuk ishte i akuzuari Leotrim Shala.

Vendimin e Gjykatës e mirëpritën familjarët dhe shoqëria civile.

Në gjykimin e parë, i akuzuari Leotrim Shala më 4 dhjetor 2023 ishte liruar nga akuza pasi nuk ishte vërtetuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë. Por, kundër këtij aktgjykimi ankesë në Gjykatën e Apelit, kishte ushtruar Prokuroria Themelore e Mitrovicës, dhe pas shqyrtimit të ankesës, më 8 gusht 2024, Apeli anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu çështjen në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 6 mars 2023 kishte ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, i cili ngarkohej se nga 30 dhjetori 2021 e deri më 8 shtator 2022, në fshatin Vinarc i Poshtëm në Mitrovicë, përmes sjelljeve dhe veprimeve të tij, e ka nxitur viktimën që të kryejë vetëvrasje.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shala gjatë lidhjes së tij me tani të ndjerën, në mënyrë të vazhdueshme e kishte rrahur, keqtrajtuar, kanosur dhe e kishte ndaluar që të punojë, të shoqërohet dhe t’i vizitojë të afërmit e saj.

Sipas aktakuzës, veprimet e lartcekura të të pandehurit Shala kishin shkaktuar presion të lartë psikik tek viktima.