Kronikë

IPK-ja po e heton përfshirjen e policëve jashtë detyrës në një rrahje në Graçanicë

Arrestohen mbi 20 zyrtarë policorë në Vërmicë nën dyshimin për marrje ryshfeti

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se është duke hetuar përfshirjen e policëve, që ishin jashtë detyrës, në një përleshje në orët e hershme të së dielës. Policia e Kosovës kishte njoftuar se në orët e hershme të së dielës në Graçanicë ndodhi një përleshje mes pesë personave, që ishin nën ndikim të alkoolit.

Dy persona u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje.

“Graçanicë. 10.12.2023 – 02:40. Është raportuar se ka ndodhur një përleshje fizike në të cilën kanë qenë të përfshirë pesë persona të gjithë meshkuj kosovarë të cilët kanë qenë nën ndikim të alkoolit, ku si pasojë njëri nga personat ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë informuar autoritetet kompetente ku dy prej të dyshuarve të përfshirë në rast janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, është thënë nga Policia.

Inspektorati Policor i Kosovës për KOHËN ka treguar se dy personat u arrestua nga Policia pasi i shkaktuan lëndime trupore një polici që ishte jashtë detyrës zyrtare. Ndërsa ka thënë se po e trajton rastin lidhur me dyshimin e prezencës të edhe një zyrtari policor në këtë incident, që po ashtu ishte jashtë detyrës, dhe se nuk kishte vepruar.

“Hetuesit e IPK-së si dhe prokurori kujdestar kanë dalë në vendin e ngjarjes. Policia e Kosovës ka arrestuar në këtë rast dy qytetarë si të dyshuar për lëndim trupor ndaj një pjesëtari të PK-së (i cili ishte jashtë detyrës zyrtare). Rasti është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës kurse IPK është duke trajtuar rastin lidhur me dyshimin e prezencës së një zyrtari policor gjatë incidentit (edhe ky jashtë detyrës zyrtare) dhe lidhur me përgjegjësinë eventuale të tij për mos veprim”, thuhet nga IPK-ja.