Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka arrestuar të shtunën një zyrtar policor në Prizren me dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje”.
IPK-ja në komunikatë ka thënë se informatat e para lidhur me rastin i ka pranuar pas orës 17:00 të shtunën nga Policia e Kosovës e rajonit të Prizrenit.
“Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore. Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘kanosje’. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet nga IPK-ja.