Një i dyshuar është intervistuar lidhur me lëshimin për qarkullim të Urës së Badocit pa u kryer testimi final, ka njoftuar Policia e Kosovës të enjten në raportin 24-orësh.
Sipas njoftimit, pas intervistimit, rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt teksa hetimet po zhvillohen në drejtim të veprës penale “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik”.
Ura e Badocit u lëshua për qarkullim në ditët e para të këtij viti. Por vetëm pas pak ditëve, u mbyll pasi nuk u krye testimi final i strukturës së saj.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një reagim në Facebook pati thënë se testimi është vetëm formal sepse ura është stabile.
“Ura e Badocit ështe projektuar e ndertuar me standardet më te larta të projektimit e ndertimit. Gjatë të gjitha fazave janë kryer inspektimet profesionale, përfshirë ketu atestet parakrake të materialeve, testimet të vazhdueshme të betonit e armaturës deri në finalizimin e saj. Prandaj me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se Ura e Badocit është shumë stabile. Gjatë gjithë këtyre diteve aty kan kaluar shumë makineri me pesha të rënda pa asnjë problem për Urën, e këtë do ta dëshmojë edhe testimi formal që do të bëhet nesër”, ka shkruar Durmishi.
Ura e Badocit u mbyll 20 muaj më parë, ndërsa 13 muaj kanë kaluar që nga dhënia e tenderit për ndërtimin e saj.
Gjatë kësaj kohe, pushteti vazhdimisht është kritikuar për vonesat në finalizimin e këtij projekti.