Policia e Kosovës ka ndaluar 12 persona, prej tyre 10 të mitur, në Mitrovicën e Veriut.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, ka thënë për “KOHËN” se personat janë arrestuar për ngasje të veturës pa patentë shoferë apo për tejkalim të numrit të pasagjerëve brenda një veture. Ata kishin qenë duke festuar me vetura e flamuj shqiptarë.
Elshani ka thënë se me të hyrë në Mitrovicën e Veriut të rinjtë ishin sulmuar me gurë nga disa qytetarë serbë.
“Janë ndaluar 12 persona, 10 të mitur, të cilët dyshohet se me flamuj shqiptarë kanë hy në Mitrovicë të Veriut. Dyshohet se disa serbë më pas i kanë sulmuar me gurë. I kemi ndalu dy vetura, në njërën veturë kanë qenë pesë të mitur e në veturën tjetër kanë qenë shtatë persona. Ende nuk ka ndonjë vepër, përveç për mungesë patentë shoferit e kundërvajtje në trafik”, ka thënë Elshani.
Elshani ka thënë se janë angazhuar në veri që të mos ketë provokime me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Nuk ka vepër për përdorimin e flamujve, por për këto çështjet e kundërvajtjes. Jemi duke e trajtuar rastin, pasi janë persona të mitur”, tha Elshani.
Politikani serb Aleksandar Arsenijeviq ka publikuar në “Facebook” video ku shihen duke festuar me vetura me flamuj shqiptarë. Ai më pas ka dalë për të festuar në veri me flamur të Serbisë.