Kronikë

I dyshuari për narkotikë paraqitet në Prokurori, lirohet pas dorëzanisë prej 30 mijë eurosh

Gjykata Themelore

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka pranuar kërkesën e Prokurorisë  Speciale për dorëzani për një të dyshuar për veprat penale  “prodhimi përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotik” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. 

Personi me iniciale S.N. sipas një komunikate të lëshuar nga Prokuroria Speciale të hënën, para komunikatës së Gjykatës, kishte qenë në arrati dhe ishte paraqitur në Prokurori së bashku me avokatin e tij. 

“I pandehuri gjendej në arrati dhe është paraqitur së bashku me avokatin e tij në zyrat e PSRK-së. Prokuroria ka lëshuar Vendim mbi ndalimin e personit te arrestuar”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Pas kësaj komunikate Gjykata ka njoftuar se ka pranuar kërkesën për dorëzani.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së sigurimit të pranisë së të pandehurit - dorëzaninë, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.N. ka kryer veprat penale ‘Prodhimi përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotik’ dhe ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ka aprovuar  propozimin e  Prokurorisë  Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë dhe të pandehurit S.N. i caktohet masa e dorëzanisë, pranohet dorëzania e ofruar nga ana e te pandehurit S.N. në të holla, në shumë prej tridhjetëmijë (30,000) euro”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.  

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e dorëzanisë ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.N. ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se janë plotësuar edhe kushtet dhe arsyet e kërkuara me ligj për caktimin e dorëzanisë.

“Nëse i pandehuri S.N. ikën dhe arratiset, me aktvendim të gjykatës caktohet që dorëzania të derdhet në Fondin për Kompensimin e Viktimave, po ashtu i pandehuri paraburgoset dhe dorëzania hiqet nëse pas thirrjes me rregull ai nuk paraqitet dhe mungesën nuk e arsyeton, si dhe nëse përgatitet të ikë ose gjatë kohës derisa është në liri, paraqiten arsyet tjera ligjore për paraburgim. Dorëzania hiqet nëse procedura penale pushon me aktvendim të formës së prerë ose me aktgjykim të formës së prerë, ndërsa kur i pandehuri dënohet me burgim, dorëzania hiqet kur ai të ketë filluar vuajtjen e dënimit”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.