Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt, po refuzon të përfaqësohet nga avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare. Sipas Gjykatës në Pejë, kjo ka qenë edhe arsyeja që ka dështuar seanca e fundit, e treta e thirrur vetëm brenda muajit qershor. E për shkak të zvarritjes së procesit, familja e viktimës ka paralajmëruar bojkotimin e seancave
I akuzuari Shaban Gogaj vazhdon të këmbëngulë në kërkesën që të përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha, i përjashtuar nga trupi gjykues, një vit më parë.
Gogaj, i cili akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt, refuzon që një avokat tjetër ta përfaqësojë atë në këtë proces gjyqësor. E pikërisht kjo, sipas Tringa Zhutit, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Pejë, ishte arsyeja që seanca e caktuar për këtë të mërkurë të anulohet.
“Seanca e sotme në çështjen penale ndaj të pandehurit Shaban Gogaj është anuluar për shkak se mbrojtësi i të pandehurit i caktuar sipas detyrës zyrtare, dje me datë 21.06.2022, ka njoftuar gjykatën se nuk do të marrë pjesë në seancë me arsyetimin se familjarët e të pandehurit e kanë njoftuar se i pandehuri nuk e pranon si mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Zhutit.
Kjo është seanca e tretë që ka dështuar vetëm gjatë muajit qershor, dhe që të tria për shkak të avokatit.
Haxhi Çekaj është caktuar avokat i Shaban Gogajt, pasi që Oda e Avokatëve të Kosovës e tërhoqi vendimin e saj për moscaktim të avokatit, pas përjashtimit të Besnik Berishës.
Por, si edhe me avokatët e tjerë që nuk iu përgjigjën kërkesës së gjykatës në Pejë, edhe Çekaj pritet të gjobitet për shkak të zvarritjes së procesit gjyqësor.
“Lidhur me këtë, gjykata do të veprojë konform nenit 64 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës për shkak të zvarritjes së procedurës nga ana e mbrojtësit, meqenëse avokati është i obliguar të paraqitet në gjykatë kur është i caktuar sipas detyrës zyrtare apo gjykatën ta njoftojë me kohë për shkaqet e arsyeshme të mosparaqitjes”, shkruhet tutje në përgjigjen e zëdhënëses së gjykatës, Tringa Zhuti.
Neni 64 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës parasheh të drejtën e gjykatës për të gjobitur palët që zvarritin procedurën.
“Gjykata gjatë rrjedhës së procedurës mund t’i shqiptojë gjobë deri në dyqindepesëdhjetë (250) euro mbrojtësit, përfaqësuesit të autorizuar ose përfaqësuesit ligjor, të dëmtuarit ose mbrojtësit të viktimave, kur veprimet e tij janë të drejtuara qartë në zvarritjen e procedurës penale. Gjoba mund te caktohet për çdo veprim që ka për qëllim zvarritjen e procedurës sipas këtij paragrafi”, është pika e parë e këtij neni.
Avokati Haxhi Çekaj, përmes telefonit, ka thënë se ai e ka njoftuar trupin gjykues se nuk mund ta përfaqësojë të njëjtin, për arsye shëndetësore, dhe se i pandehuri Gogaj nuk ka interesim të ketë asnjë avokat tjetër përpos Besnik Berishës.
E bojkotim të seancave gjyqësore ka paralajmëruar familja e të ndjerit Agonis Tetaj. Avokati i familjes, Berat Tmava, ka thënë se sistemi gjyqësor duhet të reflektojë për këtë gjendje dhe të përfundojë këtë proces.
“Për mua në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar i familjes Tetaj është e pakuptimtë se si sistemi gjyqësor nuk po arrin të sigurojë mbajtjen e seancave gjyqësore në këtë rast. Familja e të ndjerit Agonis Tetaj ka paralajmëruar se në qoftë se gjykata nuk do të mund t’i sigurojë kushtet për seanca, nuk do të marrin pjesë në seancat 5-minutëshe, sepse është tejet e vështirë për ta që ta presin një seancë gjyqësore për 2 muaj e njëjta të mos mbahet për shkak të arsyetimeve banale. Është hera e 10 që seancat në këtë proces po shtyhen në këso arsyetimesh”, ka thënë Tmava, për KOHËN.
Pas përjashtimit të avokatit mbrojtës të Shaban Gogajt, trupi gjykues në Pejë disa herë kishte caktuar avokatë të tjerë pa ndihmën e OAK-së, por të cilët nuk iu përgjigjën ftesës asnjëherë, për çka edhe disa prej tyre u gjobitën. Për të shfuqizuar vendimin e OAK-së me të cilin “kërcënonte” avokatët me tërheqje licence nëse pranojnë përfaqësimin e Gogajt, u desh reagimi i të gjitha institucioneve të Kosovës. I suksesshëm rezultoi vetëm paralajmërimi i Këshillit Gjyqësor për shkëputjen e memorandumit të bashkëpunimit.
Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, në vendin e punës vrau Agonis Tetajn.
Rasti është kthyer në pikën zero, pas reagimit të babait të viktimës, i cili kishte alarmuar institucionet dhe ambasadat në Kosovë, kur prokurori i rastit, gjatë fjalës përfundimtare, kishte vendosur që ta rikualifikonte veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.