Policia e Kosovës ka njoftuar se në mbrëmjen e të martës janë hedhur dy granate dore në oborrin e stacionit policor në Zveçan.
Policia, në raportin 24-orësh, ka thënë se s’ka pasur të lënduar në rastin.
Policia ka thënë se është duke e hetuar rastin.
“Më datën 26.11.2024 rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në oborrin e Stacionit Policor në Zveçan. Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar. Në lidhje me këtë rast në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante të cilat kanë kryer vendshikimin, gjithashtu është njoftuar edhe Njësia e Krimeve të Rënda, të cilët janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij sulmi. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Policia e Kosovës dënon ashpër këto veprime të rrezikshme dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij sulmi. Çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet mund të raportohet në numrat e Policisë apo përmes linjave të besueshme të raportimit”, thuhet nga Policia.
Kryetari i Zveçanit reagon pas sulmit me granata dore në oborrin e stacionit policor
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka reaguar pas sulmit me granata dore në oborrin e stacionit policor në Zveçan të martën mbrëma.
Në oborr të stacionit policor u hodhën dy granata dore. U shkaktuan dëme materiale, por nuk pati të lënduar.
“Si kryetar i Komunës së Zveçanit, dënoj ashpër aktin e shpërthimit të ndodhur mbrëmë në stacionin policor të Komunës së Zveçanit, i cili u shkaktua nga disa individë të pandërgjegjshëm. Ky është një akt i papranueshëm dhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë publike, që ka tronditur jo vetëm qytetarët tanë, por gjithashtu ka cenuar institucionet e rendit dhe ligjit. Ky veprim kriminal është një sulm ndaj shtetit ligjor dhe nuk do të tolerohet. Si kryetar i Komunës, angazhohem për të siguruar se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë dhe për të mbështetur institucionet e rendit dhe ligjit në çdo hap të hetimeve dhe procedurave ligjore”, ka shkruar Peci në Facebook.