Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se bazuar në hetimet fillestare, aksidenti që në rrugën rajonale Mitrovicë - Pejë në fshatin Çubrel, ku vdiqën tre persona, ka ndodhur si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë, i cili thuhet se ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.
Për këtë IPK-ja ka njoftuar se ka reakomanduar suspendimin e policit që ka qenë duke e drejtuar veturën.

“Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në njoftim.