Një rrahje e ndodhur jashtë vendit dyshohet të jetë motiv i vrasjes së të enjtes mbrëma të 23-vjeçarit Fazli Hoxha. Të dyshuarit që gjenden në paraburgim, sipas burimeve, u hakmorën për një konflikt që kishte ndodhur më parë në Itali. Familjarët e të ndjerit nuk folën mbi këtë rast dhe as në Prokurori nuk i kanë përmendur motivet
Një peshqir i vendosur në karrige pranë dyerve të oborrit të një shtëpie të familjes Hoxha në Golluboc të Malishevës përbën tregues se në atë konak ka mort. Familja ka hapur dyert për ngushëllime, për vrasjen e një dite më parë të 23-vjeçarit Fazli Hoxha.
Familjarët e të riut që u vra në parkingun e një lokali në Mirushë të Malishevës nuk pranuan që të flasin për media, me arsyetimin se është rasti i ndjeshëm dhe se të gjitha informacionet që kanë tashmë janë publikuar.
Por, të afërm të viktimës e kanë quajtur vrasje në pabesi. Shumë nga ta kanë shprehur mllef edhe në rrjete sociale.
Fazli Hoxha mbante emrin e babait të tij, i cili 23 vjet më parë kishte rënë dëshmor në përballje me forcat e ushtrisë së Serbisë. Ai me familjarë kishte qenë për iftar në një restorant në Mirushë të Malishevës mbrëmjen e së enjtes. Pas iftarit ai është qëlluar me armë zjarri, në parkingun e restorantit.
Të dyshuarit që gjenden në paraburgim, sipas burimeve, u hakmorën për një konflikt që kishte ndodhur më parë në Itali. Motivi i vrasjes që la të vdekur Fazli Hoxhën e dy të plagosur dyshohet të jetë një rrahje e ndodhur në Itali.
Të afërm të Hoxhës kanë shkruar në rrjete sociale se zgjidhje nuk është vrasja.
“Baci Fazli nuk e dha jetën që sot pas 23 vjetëve t’i vritet djali në pabesi nga dora e shqiptarit. Çdo problem ka një zgjidhje, por jo me vrasje”, ka shkruar një nga ta, i cili të ndjerin e ka përshkruar si djalë të etur për dije e student të dalluar.
Gjatë të premtes njollat e gjakut kishin mbetur ende në parkingun e lokalit, ashtu sikurse edhe vetura e viktimës. Zyrtarët policorë, qëndruan aty ndërsa në mesditë shiritat e sigurisë janë larguar.
Përmes një njoftimi policia ka treguar për rrjedhën e rastit.
“Policia menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes dhe është kuptuar se tre (3) persona kanë pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe mjete të forta. Viktimat fillimisht janë dërguar në QKMF-Klinë e më pas në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e njërit nga të lënduarit. Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, prokurori i shtetit pas një pune intensive operative dhe hetimore ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë pesë të dyshuar në rast: A.G. i lindur më 1980, N.G. i lindur më 1992, A.G. i lindur më 1998, B.G. i lindur më 1985, dhe B.G. i lindur më 1974”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Prokurorisë në Pejë, 4 vëllezërit Gashi dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë” e axha i tyre për “ndihmë pas kryerjes së veprës penale”.
Shkodran Nikçi, Zëdhënës në Prokurorinë e Pejës, ka thënë se nga një bastisje e realizuar të premten është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
“Lidhur me këtë çështje penale janë arrestuar 5 persona dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë në ndalim për 48 orë, ndërkaq prokurori i shtetit brenda afatit 24 orësh do të dorëzojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente”, ka thënë Niki. “Ajo çka mund t’ju konfirmoj është se para pak çastesh ka përfunduar një bastisje që ka rezultuar me sukses, ku është gjetur arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe e njëjta me urdhër të prokurorit është sekuestruar, gjithashtu janë grumbulluar edhe prova të tjera materiale, të cilat do të shërbejnë për ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje penale”.
KOHA ka mësuar se deri në orët mes të enjtes e të premtes nuk ka përfunduar marrja në pyetje e të dyshuarve, derisa asnjëri nga të arrestuarit nuk ka pranuar ta ketë kryer vrasjen.