Kronikë

Një i arrestuar nga grabitja në “Veternik”, disa në arrati

Grabitja QKUK i palgosuri Millosh Vukojeviq

I plagosuri i dytë në QKUK është i dyshuari për grabitje (FOTO: KOHA)

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person është arrestuar për grabitjen që ndodhi të hënën në oborrin e një qendre tregtare në Prishtinë.

Sipas komunikatës, ai po dyshohet për veprat penale “grabitje” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria ka njoftuar se hetuesit policorë po vazhdojnë ndjekjen e personave që ndodhen në arrati.

“Tani për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo Prokurori i shtetit është i përkushtuar që në koordinim dhe bashkëpunim me organet e rendit të zbardh çështjen në tërësi”, thuhet në njoftim.


Dërgohet në QKUK i plagosuri i dytë në rastin e grabitjes në “Veternik”

(E përditësuar në 14:35) - Mjeku kujdestar në QKUK, Agron Çitaku, ka thënë se e kanë pranuar edhe pacientin e dytë të plagosur me armë zjarri në rastin e grabitjes në “Veternik”. 

Ai ka thënë se i plagosuri i dytë gjendet në sallë të operimit, ndësra i plagosuri i parë gjendet në kujdes intensiv dhe se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.

“Në ora 11:00 ka ardhur një pacient, i plagosur me armë zjarri, i cili është trajtuar pas reanimimit. Është në sallë operative, është operuar dhe gjendet në kujdes intenziv. Po edhe kah ora 12:00 e kemi pasur edhe një tjetër, i cili gjithashtu është reanimuar dhe është në sallë operative. Edhe personi i dytë ka qenë i plagosur me armë zjarri. Personi i parë është i plagosur në abdomen, i dyti në këmbë”, ka theksuar Çitaku.

Sipas burimeve i plagosuri i dytë është i dyshuari për grabitje.

Nga Policia nuk kanë dhënë detaje për të plagosurin e dytë.


Grabitje në Prishtinë, një i plagosur

Një person ka mbetur i plagosur gjatë një grabitjeje të armatosur që ka ndodhur në lagjen “Veternik” në Prishtinë. 

Sipas Policisë rasti ka ndodhur rreth orës 10:30.

“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen ‘Veternik’ në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Personi i plagosur është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë thuhet se janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë njoftuar se personit të plagosur me armë zjarri janë duke iu kryer ekzaminimet. 

“Një pacient, F. A., sillet në Qendrën Klinike Emergjente të QKUK-së, si pasojë e plagosjes me armë zjarri.  Ekipi mjekësor është duke  kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pritët të intervenohet në sallën e operacionit në Qendrën Emergjente nga ekipet e anestezionit dhe kirurgjisë”, ka njoftuar QKUK-ja.


VIDEO: