(E përditësuar 16:15) - Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhërarrest ndaj të dënuarit me 10 vjet burgim për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Marko Roshiq.
Fillimisht, Gjykata thekson se me rastin e shpalljes së aktgjykimit në gjykimin për vrasjen së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ka caktuar edhe masën e paraburgimit ndaj të akuzuarit Marko Roshiq dhe menjëherë është lëshuar aktvendimi për caktimin e paraburgimit dhe i është dërguar Stacioni Policor në Veri për ekzekutim.
Policia sot ka konfirmuar se Marko Roshiq është arratisur.
Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, nga Gjykata kanë sqaruar se pas pranimit të vendimit për ekzekutimin e aktvendimit të Gjykatës, Stacioni Policor në Veri ka ndërmarrë veprime për arrestimin e të dënuarit, por ai nuk është gjetur në adresën e banimit.
Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për të akuzuarin Roshiq.
“Nga Stacioni Policor në Veri, gjykata është njoftuar se ka ndërmarr veprime për ekzekutimin e aktvendimit të gjykatës, mirëpo i akuzuari nuk është gjendur në adresën e banimit, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit, duke lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e të akuzuarit M.R. dhe dërgimin e tij në qendrën e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
“Tani rasti është me urdhër-arrest për arrestimin e këtij të akuzuari, e të cilin urdhër e ka në zbatim Stacioni Policor në Mitrovicë”, sqaron Gjykata, duke shtuar se pasi ishte informuar nga Policia se s’kanë mundur ta ekzekutojnë vendimin e Gjykatës, menjëherë kishin lëshuar urdhërarrest.
Po ashtu, Gjykata thekson se i akuzuari ka qenë i njoftuar për datën e shpalljes së aktgjykimit, mirëpo nuk ka qenë prezent në shpallje.
“Ju njoftojmë se me datë 28.06.2024, gjykata ka shpallur aktgjykimin në këtë çështje penale, ku të akuzuarin M.R e ka dënuar me 10 vite burgim. I akuzuari M.R është njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes së aktgjykimit. I njëjti nuk ka qenë prezent në shpallje të aktgjykimit, pasi që nuk është obligative pjesëmarrja në shpalljen e aktgjykimit. Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit nuk ka mundur ta arrestoj, pasi që i njëjti nuk ka qenë prezent në sallën e gjykimit edhe përpos faktit se ka qenë i njoftuar për datën dhe kohën e shpalljes”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata njofton se ua ka dërguar palëve, ku të gjithë përveç të akuzuarit kanë konfirmuar pranimin e vendimit.
“Aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit, gjykata përmes e-mail ia ka dorëzuar: Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Avokatit Mahmut Halimi dhe të akuzuarit M.R (përmes postës). Të gjithë këta të apostrofuar kanë konfirmuar pranimin e vendimit, përpos për të akuzuarin M.R, nuk kemi ende konfirmim nga posta, nëse e ka pranuar vendimin apo jo”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, avokati Halimi, gjatë një prononcimi për “Betimi për Drejtësi” ka thënë shkurtimisht se nuk e ka pranuar aktvendimin për caktimin e paraburgimit.
“Jo”, tha ai shkurtimisht.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku katër të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me mbi 20 vite burgim së bashku.
Në shpallje të aktgjykimit, gjykatësi Valon Kurtaj kishte deklaruar se me aktvendim të veçantë, Roshiqit do t’i caktohet masa e paraburgimit.
Arratiset i dënuari për vrasjen e Oliver Ivanoviqit
(13:52) - I dënuari me 10 vjet burgim për përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanovqi, Marko Roshiq është arratisur.
Këtë ia ka konfirmuar KOHËS zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani.
"Po. E ke konfirmimin që më 28 qershor ka ikur. Edhe ai nuk ka qenë në burg", ka deklaruar Elshani.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Roshiq, avokati Mahmut Halimi tha për "Betimi për Drejtësi" se nuk është parë dhe dëgjuar me të, por nga mediat ka kuptuar se është arratisur.
“Unë sa e kam kuptu prej mediave ai është arratisë, as nuk jam pa as nuk jam ni me ta”, ka deklaruar Halimi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku katër të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me mbi 20 vjet burgim së bashku.
Në shpallje të aktgjykimit, gjykatësi Valon Kurtaj kishte deklaruar se me aktvendim të veçantë, Roshiqit do t’i caktohet masa e paraburgimit.