Një person është gjetur i vdekur në bjeshkët e Junikut të dielën, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Rasti ka ndodhur mëngjesin e së dielës, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, duke thënë se ai kishte dalë nga shtëpia në orët e vona të së shtunës.
“Rasti është lajmëruar mbrëmë në orët e vona nga familjarët se ai kishte dalë edhe nuk ishte kthyer. Menjëherë kërkimi ka nisur nga ekipet e kërkim-shpëtimit, gjegjësisht policia dhe shoqatat që merren me këtë. Pas disa orë kërkimesh, trupi i pajetë i viktimës është gjetur sot rreth orës 6:00 të mëngjesit”, ka thënë Gashi për KOHËN.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante, e trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”.
“70-vjeçari ra në greminë në Bjeshkët e Nemuna”
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës njoftoi se kërkimet për gjetjen e personit kishin nisur që nga orët e para të së dielës, me një skuadër të përbërë nga stacioni i Junikut, Deçanit dhe Prizrenit.
Trupi i pajetë i R.K., i lindur në vitin 1954, është gjetur në orët e para të mëngjesit në Bjeshkët e Nemuna, në Gropat e Erenikut
Ai dyshohet se ishte duke mbledhur çali mali, e pasi ka rrëshqitur në greminë në vendin e quajtur “Kërshi i Jedovës” ka rënë duke pësuar lëndime të rënda.
“Një skuadër e të ShKShMK e përbërë nga stacioni i Junikut, Deçanit dhe Prizrenit ka filluar operacionin e kërkim-shpëtimit menjëherë pas thirrjes së pranuar. Pas disa orë kërkimesh duke u bazuar në informacion dhe gjetjen e gjurmëve është orientuar kërkimi në vendin e dyshuar. Me agimin e diellit është mundësuar edhe lëvizja në terrenin shkëmbor, ku shpejt është lokalizuar trupi i pajetë i R.K (1954)”, thuhet në njoftimin e SHKSHMK-së.