Kronikë

Gjendet një mjet shpërthyes në Kaçanik, daton nga Lufta e Dytë Botërore

Mjete të pashpërthyera

Një mjet i pashpërthyer që dyshohet se daton nga Lufta e Dytë Botërore është gjetur në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

Policia e Kosovës tha për KOHËN se mjeti shpërthyes është gjetur të shtunën (26 prill) në lagjen Teneqja, derisa autoritetet policore, ato të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe të KFOR-it kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Zëdhënësi policor për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se ekziston rreziku që mjeti i dyshimtë të shpërthejë pas 72 orësh, derisa tha se “KFOR-i ka rekomanduar sigurimin e mjetit deri më 30 prill, pas kalimit të afatit të rrezikut, për t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme”.

“Patrulla policore ka marrë masa duke bllokuar rrugët alternative pranë vendit të ngjarjes. Në vend kanë dalë njësitë e FSK-së dhe KFOR-it. Sipas KFOR-it, ekziston rreziku që mjeti të shpërthejë pas 72 orësh dhe kanë rekomanduar sigurimin e mjetit deri më 30.04.2025, pas kalimit të afatit të rrezikut, për të ndërmarrë më pas veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit policor.