E përditësuar në 17:56 - Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka gjetur të vdekur 61-vjeçarin nga Gjilani, i cili të martën u shpall i humbur.
“Sot me datën 02.07.2024 njësite policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan në bashkëpunim me familjarë të personit kanë arritur që të gjejnë personin e paraqitur të humbur pa shenja jete, vdekjen e së cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar”, thuhet në njoftim.
Polica e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, të martën kishte lëshuar kërkesë për bashkëpunim me media dhe qytetarë përmes së cilës kishte kërkuar që të lokalizohet vendndodhja e Xhemail (Mehmet) Behluli, i lindur më 20.04.1963 me banim në rrugën “Beteja e Koshares” në qytetin e Gjilanit. Ai thuhet se kishte humbur nga data 27 qershor.
Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Zhduket një 61-vjeçar në Gjilan
Policia e Kosovës njoftoi se një person nga Gjilani është raportuar i zhdukur. Xhemail Behluli, i lindur më 20.04.1963, është larguar nga shtëpia më 27.06.2024 dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
Policia kërkoi bashkëpunim nga qytetarët që nëse kanë informacione për të, t’i lajmërojnë autoritetet policore në stacionin më të afërt.
“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim lokalizimin dhe vendndodhjen e personit, lëshon këtë kërkesë për bashkëpunim me qytetarë dhe mediat për peronin i cili që nga data 27.06.2024 është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij deri me tani”, thuhet në njoftimin e Policisë.