Kronikë

Gjashtë të lënduar në një aksident në Leposaviq

Aksidenti në Leposaviq

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur të mërkurën në rrugën Leposaviq-Jarinjë, përkatësisht në fshatin Kamen të Leposaviqit. 

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, ka thënë për KOHËN se të lënduarit – pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe një shtetase e Kosovës – janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

“Si pasojë e këtij aksidenti, lëndime kanë pësuar gjashtë persona: pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe një shtetase e Kosovës. Të gjithë personat e lënduar janë dërguar në Spitalin Rajonal Mitrovicë dhe të njëjtit janë duke pranuar trajtim mjekësor”, ka thënë ai. 

Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.