Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur të hënën në hyrje të fshatit Parallovë, në rrugën Gjilan-Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka deklaruar se njëri prej të lënduarve është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor, ndërsa pesë të tjerë janë liruar për në shtëpi.
Sipas Hashanit, edhe personi që po pranon trajtim mjekësor, është jashtë rrezikut për jetë.
“Ka ndodhur aksidenti në mes dy veturave rreth orës nëntë të mëngjesit në hyrje të fshatit Parallovë. Një person është ndalë në Spitalin e Prishtinës për tretman, jashtë rrezikut për jetë, pesë persona tjerë me lëndime të lehta lirohen në shtëpi”, ka thënë ai.
Rrethanat e aksidentit po hetohen nga trafiku rajonal i Policisë.