Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugët “Nuhi Gashi” dhe “19-Qershori” në Podujevë, ku një person ka mbetur i plagosur pas një sulmi me thikë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, pas një mosmarrëveshjeje, gjashtë persona kanë sulmuar fizikisht dhe me armë të ftohtë viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK-Prishtinë dhe gjendja e tij po monitorohet nga mjekët.
Ndërkohë, pesë nga të dyshuarit janë arrestuar nga Policia, ndërsa i gjashti ndodhet ende në arrati.
Pas intervistimit nga organet e drejtësisë, tre prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.